Sociale

Kryeministri Kurti takoi nënkryetarët dhe zyrtarët komunalë për komunitetet, temë diskutimi “Parandalimi i martesave të hershme”

RtvProsperiteti
07 Qershor 2024

Prishtinë, 7 qershor 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në mbledhjen me nënkryetarët dhe zyrtarët komunalë për komunitetet, me temë qendrore diskutimi “Parandalimi i martesave të hershme”. Përveç përfaqësuesve të institucioneve lokale, të pranishëm në këtë takim ishin edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sylejman Elshani dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Erxhan Galushi.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti theksoi se qëllimi i përbashkët i të gjithë akterëve të pranishëm, është parandalimi i martesave të hershme. Kjo dukuri, që i prek sidomos vajzat, siç tha kryeministri, pasohet me humbjen e mundësive të tyre në arsim, për fëmijët e tyre eventualë, dhe kësisoj për familje të tëra.

“Është fenomen përgjithësisht i fshehur, mirëpo shifrat e UNICEF-it me Agjencinë e Statistikave, prej vitit 2020 na tregojnë që në grup moshën 20 deri në 24 vjeç, 31% të grave e vajzave rom, ashkali dhe egjiptian kanë qenë të martuara nën moshën 18 vjeçare. Kjo nënkupton se qindra vajza, çdo vit, që kanë të drejtat dhe mundësitë e tyre për të ardhmen e tyre janë të dëmtuara rëndë”, shpjegoi tutje ai.

Krahas institucioneve lokale, të cilat punojnë në mënyrë të vazhdueshme me vajza të cenuara dhe me familjarët e tyre, me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u themelua Grupi Punues Ndërinstitucional për raportimin dhe parandalimin e martesave të hershme. Anëtarët e këtij grupi po vazhdojnë hartimin e një plani të veprimit të qartë dhe ambicioz, për çka u përgëzuan nga kryeministri Kurti.

Në anën tjetër, kryeministri përmendi faktin se, pavarësisht që ka lagje të caktuara ku çdo e treta vajzë martohet e re – si fëmijë, ky nuk është një problem në masë të njëjtë në çdo rajon të Kosovës.

“Ka komuna ku vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian më shumë janë bërë shembuj për vijueshmërinë në shkollat e mesme dhe në fakultete, në aktivizimin edhe në aktivitete të ndryshme kulturore, shoqërore, publike”, shtoi ai, duke shprehur mirënjohje edhe për aktiviste të komuniteteve që angazhohen për luftimin e dukurisë së martesave të hershme.

Në fund, ky takim u cilësua një hap i rëndësishëm në zbatimin e planit të krijuar nga Grupi Punues Ndërinstitucional dhe në angazhimin e akterëve që janë kyçë për mbrojtjen e vajzave, mbrojtjen e të gjithë fëmijëve.

Nga Rubrika

Rtv-Prosperiteti, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.