
Gjakovë, 13 gusht 2026
Në ambientet e Medica Kosova, u zhvilluan dy sesionet e radhës në kuadër të projektit “Strengthening Patient Engagement and Healthcare Navigation for Vulnerable Women in the Municipality of Gjakova”, me pjesëmarrjen e grave që jetojnë me sëmundje kronike jo të transmetueshme.
Sesioni i sotëm u fokusua në të drejtat e pacientëve dhe orientimin në sistemin shëndetësor, si dhe në parandalimin, zbulimin e hershëm dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike jo të transmetueshme.
Gjatë aktiviteteve, pjesëmarrëset vazhduan edhe me plotësimin e Pyetësorit për Vlerësimin e Nevojave të Pacientëve, përmes të cilit ndanë përvojat, nevojat dhe sfidat e tyre në qasjen dhe përdorimin e shërbimeve shëndetësore.
Këto sesione synojnë të kontribuojnë në fuqizimin e grave për të njohur më mirë të drejtat e tyre si paciente, për t’u orientuar më lehtë në sistemin shëndetësor dhe për të pasur një rol më aktiv në menaxhimin e shëndetit të tyre.
Aktiviteti realizohet në kuadër të iniciativës “Non-Communicable Diseases (NCD) Patient Engagement Accelerator”, pjesë e projektit Integrated Health Services (IHS), të zbatuar nga Swiss Tropical and Public Health Institute (Swiss TPH) dhe të financuar nga Swiss Agency for Development and Cooperation (SDC).
Aktivitetet në Komunën e Gjakovës implementohen nga konsorciumi Prosperiteti dhe Medica Kosova, me fokus në fuqizimin e angazhimit të pacientëve dhe përmirësimin e qasjes në shërbimet shëndetësore për gratë dhe grupet më të cenueshme.