
Prishtinë – Platforma Elektronike për Çështje të Komuniteteve është bërë sot shërbim publik i Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke synuar ofrimin e informacionit dhe mundësive më të mëdha për qytetarët e komuniteteve joshumicë.
Platforma, e zhvilluar në vitin 2024 nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM), me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe Zvicrës, tashmë është integruar në sistemet qeveritare nga Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike.
Përmes kësaj platforme, qytetarët e komuniteteve joshumicë mund të informohen për politikat, programet dhe mundësitë që ofron Qeveria, si dhe të raportojnë raste të diskriminimit.
Sipas njoftimit, platforma synon të kontribuojë në informimin më të mirë të qytetarëve dhe në qasjen e tyre në të drejta dhe mundësi të ofruara nga institucionet publike.
Politikat qeveritare për komunitetet, sipas njoftimit, mbështeten në katër parime kryesore: gjithëpërfshirja dhe solidariteti, drejtësia socioekonomike, revitalizimi kulturor dhe të drejtat gjuhësore, si dhe përfaqësimi demokratik.
Menaxhimi i platformës do të bëhet nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit.
Qytetarët dhe organizatat që punojnë me komunitetet janë ftuar ta përdorin dhe promovojnë platformën, me qëllim që ajo të jetë sa më e dobishme për komunitetet joshumicë në Kosovë.