
Prishtinë, 7 shtator 2026 – Zyra për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së Kryeministrit, me përkrahjen e OSBE-së, ka lansuar Raportin Vjetor të Progresit për zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Avancimin e Komuniteteve Rom dhe Ashkali në Kosovë 2022–2026, për vitin 2025.
Raporti përfshin të dhëna dhe informacione mbi nivelin e zbatimit të masave dhe aktiviteteve të parapara në Strategji, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal.
Në fokus të raportit janë disa prej fushave kryesore që ndikojnë drejtpërdrejt në pozitën dhe mirëqenien e komuniteteve Rom dhe Ashkali, përfshirë arsimin, punësimin, shëndetësinë, banimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, si dhe fusha të tjera prioritare.
Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet edhe zbatimit të Strategjisë në nivel lokal. Në procesin e raportimit kanë marrë pjesë 16 komuna, në të cilat Komitetet Komunale të Veprimit janë të angazhuara në zbatimin e Planeve Lokale të Veprimit për komunitetet Rom dhe Ashkali.
Pas prezantimit të raportit është zhvilluar një diskutim ndërmjet pjesëmarrësve, ku janë ndarë përvoja dhe janë paraqitur rekomandime për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të nivelit qendror dhe atij lokal.
Në diskutim është vënë theksi edhe te nevoja për përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional dhe avancimin e mekanizmave të raportimit dhe monitorimit të zbatimit të Strategjisë.
Përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave pjesëmarrëse kanë vlerësuar rëndësinë e një angazhimi të përbashkët për përkthimin e objektivave dhe masave të Strategjisë në rezultate konkrete në terren.
Në këtë proces rol të rëndësishëm kanë ministritë dhe agjencitë qeveritare, komunat, institucionet lokale, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.
Zyra për Qeverisje të Mirë ka bërë të ditur se do të vazhdojë koordinimin dhe monitorimin e zbatimit të Strategjisë dhe ndërmarrjen e veprimeve për avancimin e pozitës së komuniteteve Rom dhe Ashkali, me fokus në përfshirjen, mosdiskriminimin dhe garantimin e mundësive dhe të drejtave të barabarta.