
Në Gjakovë,nis projekti për promovimin e shëndetit dhe rritjen e vetëdijes për sëmundjet jo-ngjitëse në komunitet!Me synimin për të rritur vetëdijen e qytetarëve për parandalimin e sëmundjeve jo-ngjitëse dhe për të fuqizuar angazhimin e pacientëve në mbrojtjen e shëndetit të tyre, OJQ Prosperiteti, në partneritet me OJQ Medica Kosova, ka nisur zbatimin e një projekti gjashtëmujor në komunën e Gjakovës që dotë zgjas deri në fund të vitit me mundesi vazhdimi.
Projekti synon të arrijë të gjitha grupet e interesit, me fokus të veçantë tek gratë, të rinjtë, personat e moshës së tretë dhe grupet e margjinalizuara, veçanërisht ata që jetojnë në zona rurale, lagje periferike dhe vendbanime ku ndër vite ka depërtuar më pak informimi dhe ndërgjegjësimi për parandalimin e sëmundjeve jo-ngjitëse. Përmes aktiviteteve të ndryshme, projekti do të promovojë rëndësinë e diagnostikimit të hershëm, parandalimin e hipertensionit, diabetit dhe sëmundjeve kardiovaskulare, stilin e shëndetshëm të jetesës, ushqyerjen e shëndetshme, ushqyerjen me gji, si dhe njohjen e të drejtave të pacientëve dhe mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e tyre.
Një nga komponentët kryesorë të projektit është realizimi i emisioneve televizive informuese, të cilat do të transmetohen një herë në muaj në TV Syri Vision dhe në platformën online Prosperiteti Channel. Përmes këtyre emisioneve, ekspertë shëndetësorë dhe profesionistë të fushave përkatëse do të trajtojnë tema që lidhen me parandalimin e sëmundjeve jo-ngjitëse, rëndësinë e kontrollit të rregullt shëndetësor, identifikimin e hershëm të faktorëve të rrezikut dhe rolin aktiv të qytetarëve në kujdesin për shëndetin e tyre.
Për ta afruar informacionin sa më pranë qytetarëve, projekti do të organizojë edhe punëtori informuese në Gjakovë dhe zona rurale. Këto aktivitete do të krijojnë hapësirë për komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet qytetarëve dhe profesionistëve shëndetësorë, duke ofruar këshilla praktike dhe informacion të besueshëm për parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike, si dhe për të drejtat e pacientëve dhe shërbimet që ofron sistemi shëndetësor.
Në kuadër të projektit do të organizohet edhe aktiviteti rinor “Lëviz për Zemrën Tënde”, përmes të cilit të rinjtë do të promovojnë rëndësinë e aktivitetit fizik dhe një stili të shëndetshëm jetese. Aktiviteti do të shoqërohet me një ecje simbolike, një sesion informues në natyrë dhe një aktivitet artistik, ku pjesëmarrësit do të përcjellin mesazhe ndërgjegjësuese për mbrojtjen e shëndetit.
Një tjetër aktivitet edukativ do të zhvillohet në Qendrën Komunitare në Brekoc, ku fëmijët dhe nxënësit do të marrin pjesë në sesione vizatimi dhe pikture me temën “MBRO SHËNDETIN TËND – INFORMOHU”. Punimet e tyre do të ekspozohen për disa ditë, duke shërbyer si një mesazh sensibilizues për komunitetin mbi rëndësinë e parandalimit të sëmundjeve jo-ngjitëse.
Përmes kombinimit të informimit mediatik, aktiviteteve në terren dhe angazhimit të komunitetit, projekti synon të kontribuojë në rritjen e vetëdijes për parandalimin e sëmundjeve jo-ngjitëse, të inkurajojë kontrollin e hershëm shëndetësor dhe të promovojë një kulturë më të fortë të kujdesit për shëndetin, duke u kushtuar vëmendje të veçantë zonave dhe grupeve ku nevoja për informim dhe ndërgjegjësim mbetet më e madhe.