
Rrëfimi i të mbijetuarit Bashkim Ramadani për 14 ashkalinjtë dhe egjiptianët e zhdukur në Masakrën e Krushës së Madhe.
Më 26 mars 1999, vetëm dy ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, fshati Krushë e Madhe, rreth 11 kilometra larg Rahovecit, u shndërrua në skenë të një prej masakrave më të rënda të luftës në Kosovë. Gjatë tri ditëve të dhunës sistematike të ushtruar nga forcat serbe, u vranë dhe u masakruan 241 civilë shqiptarë, ndërsa 64 persona vazhdojnë ende të figurojnë të zhdukur.
Në mesin e viktimave ishin edhe 14 pjesëtarë të komuniteteve ashkali dhe egjiptian, të cilët, sipas dëshmive të të mbijetuarve, refuzuan të largoheshin nga fshati dhe qëndruan pranë fqinjëve të tyre shqiptarë deri në momentet e fundit të jetës. Edhe pas më shumë se dy dekadash, familjet e tyre vazhdojnë të jetojnë mes dhimbjes, mungesës dhe pritjes për drejtësi, pasi trupat e tyre ende nuk janë gjetur.
Shumë nga dëshmitarët e asaj kohe nuk jetojnë më. Bashkë me ta janë shuar edhe rrëfime të rëndësishme për krimet dhe për momentet e fundit të viktimave. Megjithatë, kujtesa e familjeve dhe e të mbijetuarve mbetet dëshmi e gjallë e asaj tragjedie.
Njëri prej atyre që i mbijetoi masakrës është Bashkim Ramadani. Ai arriti të shpëtojë, por humbi babanë dhe dy vëllezërit, të cilët u ekzekutuan gjatë ngjarjeve tragjike të marsit 1999. Edhe sot, pas 26 vitesh, familja ende nuk e di se ku prehen eshtrat e tyre.
“Jetonim me punë e me djersë. Nuk kishim shumë, por kishim zemër e respekt për njëri-tjetrin. Me fqinjët shqiptarë ishim si familje. Në gëzime e në mort, gjithmonë bashkë,” kujton Ramadani.
Por gjithçka ndryshoi brenda pak orësh.
Me fillimin e bombardimeve, frika përfshiu gjithë fshatin. Banorët u detyruan të largoheshin drejt maleve për t’i shpëtuar sulmeve të forcave serbe. Nga larg dëgjoheshin zhurmat e tankeve dhe të shtënat që afroheshin gjithnjë e më shumë.
“Pasi qëndruam deri në mbrëmje në mal, rrezikova dhe u afrova afër fshatit për me pa çka ka mbet prej shtëpisë. Pashë vetëm zjarr e tym. Krejt Krusha ishte në flakë. Mu duk sikur po digjej krejt jeta jonë bashkë me shtëpitë,” rrëfen ai.

Familjet kaluan natën të fshehura në mal, mes pasigurisë dhe frikës së vazhdueshme. Të nesërmen, granatimet dhe të shtënat u afruan edhe më shumë. Në ato momente paniku, Bashkimi i kërkoi babait të largohej bashkë me familjen drejt
një zone më të sigurt. Por ai refuzoi.
Pak para ndarjes së fundit, Bashkimi i kërkoi babait ta hiqte plisin e bardhë, nga frika se mund të identifikohej më lehtë nga forcat serbe. Përgjigjja e tij mbeti përgjithmonë në kujtesën e familjes:
“Me plis kam le… me plis dua të vdes.”
Ishin fjalët e fundit që dëgjoi prej tij.
Për shkak të përkeqësimit të situatës dhe frikës se mund të zbuloheshin nga forcat serbe, familjarët dhe banorët e fshatit vendosën të ndaheshin në grupe të vogla, me shpresën se të paktën një pjesë do të arrinte të mbijetonte. Ideja ishte që të mos qëndronin të gjithë bashkë në një vend, nga frika se mund të ekzekutoheshin të gjithë në rast se binin në duart e paramilitarëve serbë.
Pas ndarjes në grupe, babai i Bashkimit dhe dy vëllezërit e tij mbetën veçmas së bashku me disa burra të tjerë. Sipas dëshmive të grave të mbijetuara që ndodheshin me ta në ato momente, edhe ata ranë në pritën e forcave serbe. Paramilitarët urdhëruan që burrat të ndaheshin menjëherë nga gratë dhe fëmijët, ndërsa grave dhe fëmijëve iu tha të largoheshin pa guxuar të kthenin kokën prapa.
“Ecni dhe mos guxoni me kthy kryt mbrapa, duart mbani lartë,” bërtisnin paramilitarët, ndërsa burrat mbetën të ndaluar. Vetëm pak çaste më vonë u dëgjuan breshëri armësh. Që nga ajo ditë, familja Ramadani nuk i pa më kurrë babanë dhe dy vëllezërit e Bashkimit.
Por, tmerri nuk përfundoi aty. Vetë Bashkim Ramadani, së bashku me dhjetëra civilë të tjerë, u kap më vonë dhe u dërgua në xhaminë e fshatit, e cila gjatë atyre ditëve ishte shndërruar në vend torturash, rrahjesh dhe ekzekutimesh. Për afro 24 orë, të mbyllur brenda xhamisë, ata jetuan mes frikës, britmave dhe pritjes së vdekjes.
“Xhamia nuk dukej më si xhami. Ishte si ferr. Gjithandej gjak, britma e frikë. Çdo pak minuta merrnin dikë jashtë… e pastaj dëgjoheshin krismat,” kujton ai.
Ai kujton fytyrat e njerëzve të tmerruar, veçanërisht djemve të rinj, vetëm 14–15 vjeç, ende fëmijë, të cilët qanin nga frika ndërsa prisnin fatin e tyre.
“Djemtë më pyetnin: ‘Babë, a kanë me na vra?’ Mundohemi me i qetësu… por në fund edhe vet e humba shpresën.”
Sipas tij, pas orësh të tëra torture psikologjike dhe dhune, askush brenda xhamisë nuk besonte më se do të dilte i gjallë.
“Nuk kishim më shpresë për jetë. Veç pritshim kur po na vjen radha,” thotë ai.
Të nesërmen, paramilitarët dhe policët serbë i nxorën civilët jashtë xhamisë dhe iu urdhëruan të vraponin.
“Na thanë: ‘Ikni, vraponi!’ E derisa po ikshim, ata shtinin me armë kah mujshin. Njerëzit u shpërndanë në panik… kush kah mundej,” rrëfen Ramadani.

Edhe sot, ai nuk arrin ta kuptojë se si arritën të shpëtonin.
“S’di as vet qysh kemi shpëtu. Veç kemi vrapu në drejtim të magjistrales prej Krushës së Madhe për në Prizren, nëpër frikë, britma e plumba.”
Ashkalinjtë dhe egjiptianët e zhdukur në Krushë të Madhe
Skënder M. Beqiri (1941) – 58 vjeç;
Mahir S. Beqiri (1964) – 35 vjeç;
Kujtim S. Beqiri (1971) – 28 vjeç;
Arben S. Beqiri (1976) – 23 vjeç;
Petrit S. Beqiri (1978) – 21 vjeç;
Xhemali O. Ramadani (1930) – 69 vjeç;
Milaxhim Xh. Ramadani (1968) – 31 vjeç;
Blerim Xh. Ramadani (1976) – 23 vjeç;
Mahmut A. Mahmuti (1939) – 60 vjeç;
Fatmir M. Mahmuti (1965) – 34 vjeç;
Xhavit M. Mahmuti (1969) – 30 vjeç;
Nahit M. Mahmuti (1971) – 28 vjeç;
Asllan R. Sahiti (1966) – 33 vjeç;
Ymer B. Iseni (1975) – 24 vjeç.
Ata nuk ishin vetëm emra në një listë. Ishin baballarë, bijë, vëllezër dhe fqinjë, të cilët refuzuan të largoheshin nga fshati i tyre dhe ndanë fatin me bashkëfshatarët shqiptarë deri në momentet e fundit të jetës.
Për familjet e Krushës së Madhe, lufta nuk ka përfunduar ende. Ajo vazhdon në heshtjen e varreve që mungojnë, në pritjen për drejtësi dhe në kujtimet që nuk i shuan as koha. Sepse në Krushë të Madhe, emrat e viktimave nuk janë vetëm pjesë e historisë, ata mbeten plagë të hapura të një komuniteti që ende pret paqe për shpirtin e të zhdukurve.

Përgatiti:
Lendrit Qeli
PROSPERITETI CHANNEL
Ky shkrim është produkt i Akademisë për Raportimin në Fushën e Ballafaqimit me të Kaluarën (BmK) dhe Gazetarinë e Sensibilizuar për Konflikte, implementuar nga Pro Peace – Programi në Kosovë dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Pro Peace dhe AGK-së.