Arsim

Pajtim Zeqiri: 25 Vite me Terre des Hommes, Mbrojtje për Fëmijët dhe Luftë Kundër Diskriminimit në Kosovë

RtvProsperiteti
03 Mars 2025

Organizata Terre des Hommes Kosovo operon 25 vite në Kosovë, duke qenë një ndër aktorët kryesorë në mbrojtjen dhe fuqizimin e fëmijëve në nevojë. Me fokus të veçantë te fëmijët në situatë rruge, organizata ka ofruar mbështetje të vazhdueshme për ta, duke synuar përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës dhe qasjen në shërbime sociale e arsim dhe infrastrukturen ligjore.

Sipas drejtorit të organizatës, Pajtim Zeqiri, një numër i madh i fëmijëve që përballen me këtë realitet vijnë nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian, të cilët vazhdojnë të jenë më të prekurit nga varfëria dhe diskriminimi. Në emisionin “Fokusi Ynë”, ai theksoi rëndësinë e punës së organizatës për të garantuar të drejtat e këtyre fëmijëve dhe për t’i ofruar atyre mundësi më të mira për një të ardhme më të sigurt.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i punës së Terre des Hommes Kosovo është platforma “Raporto Diskriminimin”, e cila është krijuar në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës për t’u mundësuar qytetarëve raportimin e rasteve të diskriminimit ndaj komuniteteve Rom , Ashkali dhe Egjiptian në mënyrë të lehtë dhe të qasshme. Sipas Zeqirit, kjo platformë është një mjet i rëndësishëm për të adresuar padrejtësitë që komunitetet përballen çdo ditë, por ai gjithashtu theksoi se nevojitet më shumë promovim për të rritur ndërgjegjësimin dhe përdorimin e saj nga qytetarët.

Gjatë intervistës, drejtori i Terre des Hommes foli gjithashtu për drejtësinë sociale dhe luftën kundër antigjipsizmit, duke theksuar nevojën për më shumë angazhim institucional në eliminimin e paragjykimeve dhe krijimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse.

Për më shumë detaje mbi punën e kësaj organizate dhe sfidat me të cilat përballen komunitetet, ndiqni intervistën e plotë me Pajtim Zeqirin në emisionin “Fokusi Ynë”, të publikuar në YouTube.

Nga Rubrika

Rtv-Prosperiteti, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.