Cikli i dëgjimeve buxhetore vazhdoi në fshatin Hoçë e Madhe, ku u mbledhën kërkesat dhe nevojat për buxhetin e vitit 2025. Pjesëmarrja aktive e qytetarëve është thelbësore për të siguruar që buxheti të pasqyrojë nevojat dhe prioritetet e tyre.
Dëgjimin e moderoi zyrtari përkthyes Senad Mullaavda. Lendrit Qeli, Shefi i Zyrës për Komunitete dhe Kthim, diskutoi projektet që do të dalin nga Zyra Komunale për Komunitete dhe Kthim. Ai gjithashtu bëri një pasqyrë të investimeve që janë realizuar në këtë zonë gjatë viteve të fundit dhe paraqiti planifikimet për të ardhmen, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të investimeve dhe përmirësimeve infrastrukturore në Hoçë të Madhe. Kryetari i Komunës, z. Smajl Latifi, paraqiti informacionet kyçe për planifikimin dhe menaxhimin e buxhetit të komunës, ndërsa drejtori i financave, z. Afrim Limani, shpalosi në detaje buxhetin e Komunës së Rahovecit për vitin 2025.
Buxheti i Komunës së Rahovecit për vitin 2025 do të jetë në vlerë prej 20.982.000€.
Kërkesat që u parashtruan ishin 7 sosh:
– Projektet e parapara për Hoçë të Madhe;
– Krijimi i një kodi buxhetor të veçantë për Hoçë të Madhe;
– Rritja e investimeve infrastrukturore;
– Mungesa e këshillit lokal dhe kryetarit të fshatit;
– Përkrahje më të madhe nga Zyra Komunale për Komunitete dhe Kthim;
– Dezinfektimi i fshatit;
– Projekti për furnizimin me ujë të pijshëm.
Në vazhdën e debatit, pati edhe biseda interaktive të përgjithshme rreth kërkesave të ndryshme. Grupi punues do t’i shqyrtojë pyetjet dhe kërkesat dhe do të paraqesë një raport final me arsyetimet përkatëse, i cili do të publikohet në ueb-faqen zyrtare të Komunës së Rahovecit.