Tema e përfshirjes së kulturës dhe identitetit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në tekstet shkollore është mbajtur nën vëmendjen e strukturave politike dhe shoqërisë civile, siç raportoi PROSPERITETI CHANNEL.
Deputeti egjiptian, Fridon Lala, theksoi rëndësinë e përfshirjes së kulturës dhe identitetit në tekstet shkollore si një hap të rëndësishëm drejt barazisë dhe njohjes së diversitetit në shoqëri. “Përfshirja e kulturës dhe identitetit tonë në tekstet shkollore është një hap i madh drejt barazisë dhe njohjes së diversitetit në shoqërinë tonë. Kjo do të ndihmojë fëmijët tanë të ndihen të pranuar dhe të vlerësuar,” tha ai.
Deputeti rom, Erxhan Galushi, gjithashtu foli për këtë çështje dhe vuri në dukje ndikimin pozitiv që një iniciativë e tillë mund të ketë. “Duke përfshirë kulturën tonë në tekstet shkollore, ne pasurojmë kurrikulat dhe kontribuojmë në krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të ndërgjegjshme,” deklaroi ai.
Mësimdhënësja rome, Urma Menekshe, shpjegoi se si përfshirja e kulturës dhe historisë në tekstet shkollore mund të ndikojë pozitivisht në arsimimin e fëmijëve. “Kur fëmijët tanë shohin kulturën dhe historinë e tyre të përfaqësuar në libra, ata ndihen të fuqizuar dhe të motivuar për të mësuar më shumë. Kjo është thelbësore për zhvillimin e tyre akademik dhe personal,” tha ajo.
Gazetari rom, Avdi Misini, theksoi rolin e mediave në promovimin e diversitetit dhe përfshirjes. “Mediat kanë një përgjegjësi të madhe për të promovuar diversitetin dhe për të ngritur zërin për çështjet e rëndësishme që prekin komunitetet tona. Kjo punëtori është një hap i rëndësishëm drejt këtij qëllimi,” theksoi Misini.
Ndryshe, mbetet të shihet gatishmëria e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShTI) për të avancuar këtë proces dhe për të integruar më tej këto përfshirje në tekstet shkollore. /PROSPERITETI CHANNEL/