
Gjakovë 25 Shtator 2026
Organizata Prosperiteti , në konsorcium me Medica Kosova, organizoi një ligjëratë informuese me Dr. Bekim Hylen-specializant i mjekësis familjare pranë QKMF-së në Gjakovë , në të cilën morën pjesë mbi 35 pjesëtarë të komuniteteve Romë, Ashkali dhe Egjiptian.
Takimi kishte për qëllim rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit lidhur me çështjet shëndetësore që prekin qytetarët, me theks të veçantë te sëmundjet kronike, hipertensioni dhe diabeti.
Gjatë ligjëratës u diskutua edhe për rëndësinë e kontrolleve të rregullta shëndetësore, parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike, si dhe për qasjen në shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe të drejtave të pacientëve, informimit të qytetarëve dhe rëndësisë që pacientët të jenë të informuar për shërbimet shëndetësore dhe mënyrën e përdorimit të tyre.
Pjesëmarrësit patën mundësi të parashtrojnë pyetje dhe të diskutojnë drejtpërdrejt me Dr. Hylen për çështje që lidhen me shëndetin dhe qasjen në shërbime.
Aktiviteti u realizua me mbështetje financiare nga Integrated Health Services (IHS), të financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në Kosovë.
Nga Prosperiteti Channel bëhet e ditur se aktivitete të tilla informuese dhe sensibilizuese do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme ,gjegjësisht deri ne dhjetor , me synim që qytetarët, veçanërisht grupet që përballen me barriera në qasjen ndaj shërbimeve, të kenë më shumë informacion dhe njohuri për kujdesin shëndetësor dhe të drejtat e tyre.