Kryesore

ZKKK-të kërkojnë fuqizimin e rolit të tyre, takim me ministrin Krasniqi

RtvProsperiteti
18 Gusht 2026

Prishtinë – Kryesuesi i Kolegjiumit të Zyrave Komunale për Komunitete dhe Kthim (ZKKK) pranë Asociacionit të Komunave të Kosovës, Dr. Lendrit Qeli, ka zhvilluar takim me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Në takim, Qeli ishte i shoqëruar nga Shefja e Zyrës për Komunitete në Prizren, Derya Kazaz Kala, dhe Shefi i Zyrës për Komunitete në Gjakovë, Armend Behluli.

Në fokus të takimit ishte forcimi i statusit dhe rolit të Zyrave Komunale për Komunitete dhe Kthim, fuqizimi i misionit të tyre dhe avancimi i koordinimit institucional ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror.

Gjatë takimit u diskutua edhe nevoja për inicimin e procesit të ndryshimit dhe plotësimit të Rregullores nr. 02/2010 për Zyrat Komunale për Komunitete dhe Kthim, me qëllim që kuadri aktual të përshtatet me realitetin dhe nevojat e komuniteteve.

Kryesuesi i Kolegjiumit të ZKKK-ve theksoi se këto zyra duhet të kenë mandat të qartë, stabilitet institucional, resurse të mjaftueshme dhe buxhet të nevojshëm për ushtrimin e përgjegjësive të tyre.

Sipas tij, ZKKK-të kanë rol të rëndësishëm në adresimin e çështjeve të komuniteteve dhe janë pikë e drejtpërdrejtë e kontaktit mes qytetarëve dhe institucioneve. Ato përfshihen gjithashtu në procese që lidhen me kthimin, riintegrimin, riatdhesimin, si dhe çështje të tjera që prekin komunitetet dhe migrimin.

Qeli ka kërkuar që funksionimi i ZKKK-ve të mos dobësohet dhe që të sigurohet paanshmëria institucionale, shmangia e ndikimeve politike, qartësia në sistematizimin e zyrtarëve dhe sigurimi i resurseve të nevojshme.

Pas takimit, Qeli ka falënderuar ministrin Krasniqi për pritjen dhe gatishmërinë për dialog, ndërsa ka bërë të ditur se Kolegjiumi do të vazhdojë punën për harmonizimin dhe adresimin e kërkesave të ZKKK-ve në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.

Kolegjiumi pritet që në takimet e ardhshme të vazhdojë koordinimin me institucionet përkatëse dhe partnerët ndërkombëtarë në Kosovë, me synim fuqizimin e rolit dhe funksionimit të Zyrave Komunale për Komunitete dhe Kthim.

Nga Rubrika

Rtv-Prosperiteti, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.