Fokusi Ynë

ERGJAN MEHMETI : ARTI KA NGJYRA , SECILA KA VLERË!

RtvProsperiteti
03 Mars 2025

Ergjan Mehmeti, aktori i vetëm profesionist nga komuniteti Ashkali, ndau përvojën e tij në emisionin “Fokusi Ynë”. Ai foli për sfidat dhe paragjykimet me të cilat u përball në fillimet e karrierës për shkak të përkatësisë së tij etnike. Megjithatë, përkushtimi dhe puna e palodhur e ndihmuan të tejkalojë këto pengesa dhe të ndërtojë një karrierë të suksesshme në artin skenik dhe kinematografi.

“Të jesh i vetmi aktor profesionist nga komuniteti Ashkali nuk është e lehtë. Është një përgjegjësi e madhe, por edhe një mundësi për të hapur dyer për të tjerët,” u shpreh ai. Ai shtoi se mbështetja për artistët e komunitetit Ashkali ka qenë e kufizuar, dhe shpesh është dashur të punojë dyfish më shumë për të fituar hapësirën e tij në këtë fushë.

Mehmeti ka marrë pjesë në shumë shfaqje teatrore dhe xhirime filmike, duke u angazhuar në bashkëpunime të ndryshme artistike. Ai kujton se gjatë rrugëtimit të tij ka hasur jo vetëm në sfida profesionale, por edhe në bullizim e paragjykime, të cilat i ka sfiduar me përkushtim dhe punë. “Arti është më i fortë se çdo paragjykim. Kam vendosur të mos dorëzohem, por të luftoj për vendin tim në skenë,” tha ai.

Në lidhje me mbështetjen institucionale për artistët nga komunitetet e margjinalizuara, Mehmeti theksoi se ende mungojnë politikat e duhura për përfshirjen e tyre në teatrot shtetërore dhe produksionet kombëtare. “Shteti duhet të bëjë më shumë për të mbështetur artistët e komuniteteve jo-shumicë. Kemi nevojë për më shumë mundësi dhe përfaqësim të barabartë,” shtoi ai.

Ai përmendi sukseset e tij më të mëdha, duke përfshirë rolet në disa produksione të njohura dhe bashkëpunime me regjisorë të rëndësishëm, por theksoi se sfidat mbeten të shumta, veçanërisht për të rinjtë që duan të ndjekin rrugën e tij. “Për të rinjtë e komunitetit tonë, ndjekja e profesioneve artistike është një sfidë e madhe për shkak të mungesës së mbështetjes dhe paragjykimeve shoqërore,” tha ai.

Në përfundim, Mehmeti inkurajoi të rinjtë që ëndërrojnë një karrierë në art dhe kulturë të ndjekin pasionin e tyre pa frikë. “Pavarësisht sfidave, është e rëndësishme të mos heqim dorë nga ëndrrat tona dhe të punojmë me përkushtim për t’i realizuar ato. Artisti ka fuqinë të ndryshojë perceptime dhe të sjellë një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë,” përfundoi ai.

 

 

 

Nga Rubrika

Rtv-Prosperiteti, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.