Në emisionin “Fokusi Ynë”, këshilltarja e Kryeministrit për Çështje të Pakicave, znj. Elizabeth Gowing, foli për situatën e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë. Ajo theksoi progresin e arritur, por edhe sfidat që mbeten për t’u adresuar.
Gjatë katër viteve të fundit janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për avancimin e të drejtave të këtyre komuniteteve, duke përmirësuar qasjen në arsim, punësim dhe shërbime sociale. Qeveria ka dhënë bursa për nxënësit e shkollave të mesme, duke rritur edhe shumën e mbështetjes, si dhe bursa për studentët universitarë, duke krijuar më shumë mundësi për të rinjtë e komuniteteve.
Një ndër sukseset më të mëdha ka qenë miratimi i një mase të re nga qeveria për grupet e nënpërfaqësuara në administratën publike, e cila u mundëson institucioneve të hapin thirrje enkas për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian, me qëllim të rritjes së përfaqësimit të tyre në sektorin publik.
Qendrat mësimore kanë një rol të rëndësishëm dhe duhen mbështetur më tej me resurse të mjaftueshme nga qeveria. Për sa i përket martesave të hershme, janë forcuar mekanizmat ligjorë dhe ndërgjegjësimi ka sjellë rezultate pozitive, por mbetet një sfidë e vazhdueshme. Vajzat e komuniteteve ende ballafaqohen me ndërprerje të shkollimit për shkak të martesave të hershme, dhe për këtë znj. Gowing po punon me Task Forcën për të evituar këtë fenomen dhe për të siguruar mbështetje më të madhe për vajzat që duan të vazhdojnë shkollimin.
Ndër problemet sociale kryesore janë varfëria, diskriminimi dhe qasja e kufizuar në shërbimet si pasojë e pa barazisë sociale . Qeveria ka krijuar programe specifike, përmes forcimit të sistemit social .
Përfaqësimi në institucionet shtetërore mbetet i ulët dhe ka nevojë për politika afirmative më të fuqishme. Qeveria po punon për të rritur përfshirjen, por ende ka një rrugë të gjatë për të bërë.
Znj. Gowing përfundoi intervistën duke theksuar se barazia dhe integrimi i këtyre komuniteteve mbetet një prioritet për institucionet e Kosovës. “Kemi bërë hapa përpara, por mbetet ende punë për të siguruar një shoqëri të drejtë dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët,” u shpreh ajo.
Ndiqni intervisten e plotë: