Emisionii rradhës “Fokusi Ynë” solli një intervistë ekskluzive me Berat Thaçin, menaxherin e Qendrës me Bazë në Komunitet në lagjen Brekoc të Gjakovës. Me mbi 20 vite përvojë në organizatën ndërkombëtare “Bethany Christian Services”, Thaçi ndau rrugëtimin e tij dhe ndikimin që kjo qendër ka pasur në fuqizimin dhe integrimin e fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Thaçi theksoi se, kur kjo qendër filloi veprimtarinë e saj mbi dy dekada më parë, sfidat për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian ishin të shumta. “Atëherë kishim shume më shumë burokraci dhe shumë pak të rinj që ndiqnin shkollimin. Ishte një periudhë e vështirë,” tha ai. Por sot, falë angazhimit të vazhdueshëm dhe programeve të synuara, gjendja ka ndryshuar ndjeshëm.
Sipas Thaçit, një nga objektivat kryesorë të qendrës është të sigurojë qasje në arsim cilësor dhe të parandalojë braktisjen e shkollës. “Sot kemi një numër dukshëm më të madh të fëmijëve nga këto komunitete që ndjekin mësimet. Programet tona ndihmojnë jo vetëm në arsim, por edhe në zhvillimin e aftësive sociale dhe profesionale të tyre,” u shpreh ai. Puna e Qendrës me Bazë në Komunitet ka treguar se me mbështetje dhe qasje të duhur mund të arrihen ndryshime domethënëse. Thaçi vuri në pah faktin se tashmë ka një rritje të ndjeshme të fëmijëve që përfundon arsimin fillor dhe të mesëm. “Kjo qendër ka qenë një pikë mbështetjeje për familjet në nevojë dhe një urë lidhëse mes komunitetit dhe institucioneve arsimore,” tha ai.
Gjatë intervistës, ai gjithashtu potencoi që bashkëpunimi me institucione lokale dhe partnerë të tjerë ka qenë vendimtar për suksesin e programeve të tyre. “Sot, shohim më shumë të rinj që vazhdojnë shkollimin e lartë dhe që janë të motivuar për të kontribuar në komunitetin e tyre,” shtoi Thaçi.
Puna dhe përkushtimi i Berat Thaçit dhe ekipit të tij vazhdon të frymëzojë dhe të ndikojë pozitivisht në jetën e qindra fëmijëve. Roli i Qendrës me Bazë në Komunitet në Brekoc mbetet një shembull i shkëlqyer i asaj se si angazhimi dhe bashkëpunimi mund të ndryshojnë të ardhmen e komuniteteve më të cenueshme.