
Zyra Komunale për Komunitete dhe Kthim (ZKKK) nga Gjakova , ka organizuar një punëtori dy-ditore për hartimin e Planit të Punës për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Joshumicë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve lokale dhe qendrore, organizatave joqeveritare dhe akterëve të tjerë relevantë.
Punëtoria u hap nga Armend Behluli, Shef i Zyrës Komunale për Komunitete dhe Kthim në Gjakovë, i cili në fjalën hyrëse theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit institucional në adresimin e nevojave të komuniteteve joshumicë.
Në sesionin e parë u organizua një panel diskutimi, ku morën pjesë Pranvera Kërshi, Shefe e Stafit Politik dhe Këshilltare e Ministrit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL); Lendrit Qeli, Shef i ZKKK-së në Rahovec dhe Kryesues i Kolegjiumit të Zyrave Komunale për Komunitete dhe Kthim në nivel vendi; si dhe Emrah Cërmjani, Kryesues i Komitetit për Komunitete në Komunën e Gjakovës.
Diskutimi u përqendrua në sfidat kryesore të komuniteteve joshumicë, respektimin dhe avancimin e të drejtave të tyre, si dhe rolin e institucioneve në përmirësimin e përfaqësimit, përfshirjes dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në sesionin e dytë u prezantuan Rregullorja për Integrimin e Personave të Riatdhesuar dhe Plani i Punës së ZKKK-së për vitin 2027. Me këtë rast u diskutuan objektivat, aktivitetet e planifikuara dhe përgjegjësitë institucionale për periudhën e ardhshme.
Përmes kësaj punëtorie, ZKKK synon të avancojë koordinimin ndërinstitucional dhe të krijojë një qasje më të përbashkët në adresimin e çështjeve që prekin komunitetet joshumicë, duke i orientuar angazhimet drejt veprimeve konkrete dhe rezultateve të qëndrueshme.
Mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të komuniteteve joshumicë kërkon angazhim të përbashkët, përgjegjësi institucionale dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.