
Rahovec, 26 gusht 2026 – Komiteti për Komunitete i Komunës së Rahovecit ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të katërtën për vitin 2026, ndërsa pas përfundimit të saj anëtarët e Komitetit kanë vazhduar aktivitetin në terren, përmes një vizite në komunitet dhe në SHMUL “Gëzim Hamza”.
Mbledhja është mbajtur në sallën e Kuvendit Komunal, ku janë shqyrtuar disa çështje me rëndësi për komunitetet joshumicë dhe përfshirjen e tyre në jetën institucionale dhe arsimore.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte gjendja në fushën e arsimit. Përfaqësuesit e Drejtorisë së Arsimit kanë prezantuar informata lidhur me regjistrimin e nxënësve nga komunitetet joshumicë, braktisjen e shkollimit dhe masat parandaluese që ndërmerren për të zvogëluar këtë dukuri.
Në takim është prezantuar edhe raporti i Zyrës Komunale për Komunitete dhe Kthim (ZKKK), ndërsa anëtarët e Komitetit kanë diskutuar për çështje të ndryshme që lidhen me të drejtat, nevojat dhe sfidat e komuniteteve në Komunën e Rahovecit.
Pas përfundimit të mbledhjes, puna e Komitetit ka vazhduar jashtë sallës së Kuvendit. Anëtarët kanë realizuar vizitë në komunitet, me qëllim të krijimit të një kontakti më të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe të identifikimit nga afër të çështjeve që kërkojnë adresim institucional.
Në kuadër të aktiviteteve në terren është realizuar edhe vizita në SHMUL “Gëzim Hamza”, ku vëmendje e veçantë i është kushtuar çështjeve që lidhen me nxënësit nga komunitetet joshumicë, pjesëmarrjen e tyre në procesin arsimor dhe sfidat që mund të ndikojnë në vijimin e rregullt të shkollimit.
Vizitat në terren u japin mundësi anëtarëve të Komitetit që përveç diskutimeve institucionale, të marrin informacione drejtpërdrejt nga komuniteti dhe institucionet lokale. Këto kontakte mund të shërbejnë si bazë për rekomandime dhe iniciativa të mëtejshme në kuadër të punës së Komitetit.
Komiteti për Komunitete është një mekanizëm i obligueshëm komunal, i paraparë me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, me përgjegjësi për të shqyrtuar dhe dhënë rekomandime lidhur me respektimin e të drejtave dhe interesave të komuniteteve.
Përmes kombinimit të punës në Kuvend me vizitat në terren, Komiteti synon që çështjet e komuniteteve të mos mbeten vetëm pjesë e diskutimeve institucionale, por të adresohen përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe institucioneve përkatëse