

Rahovec – Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi dhe bashkëfinancimi me përfaqësuesin e OJQ-së VoRAE, Orhan Butiqi, për zbatimin e programit të transformimit të vendbanimeve në Komunën e Rahovecit.
Sipas njoftimit të kryetarit Latifi, programi do të realizohet në koordinim me Zyrën për Komunitete dhe Kthim të Komunës së Rahovecit dhe do të ketë fokus përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës në vendbanimet ku jetojnë komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian.
Bashkëpunimi synon gjithashtu fuqizimin e përfshirjes së këtyre komuniteteve dhe përmirësimin e mirëqenies së tyre përmes ndërhyrjeve konkrete në vendbanime.
Kryetari Latifi ka falënderuar VoRAE për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale dhe organizatave të shoqërisë civile.
Programi i transformimit të vendbanimeve synon krijimin e kushteve më të mira të jetesës dhe mundësive të barabarta për qytetarët e Komunës së Rahovecit, me fokus të veçantë në komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian.