
Në moshën 88-vjeçare është ndarë nga jeta në qytetin e Përmet intelektuali i njohur, eruditi, poligloti, gjuhëtari dhe historiani i komunitetit egjiptian, Luan Dino.
Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga familjarët, ndërsa reagime të shumta ngushëllimi kanë ardhur nga personalitete akademike dhe përfaqësues të komunitetit. Etnologu i njohur dr.Rubin Zemon ka shprehur ngushëllime për familjen dhe mbarë komunitetin, duke e cilësuar Prof. Dino si një personalitet të veçantë dhe një kontribuues të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e historisë e identitetit të komunitetit egjiptian.
Po ashtu, në rrjetet sociale ka reaguar edhe Rivelio Cuno, kryetar egjiptian i Partisë për Europianizim dhe Integrimin e Shqipërisë. Në mesazhin e tij të ngushëllimit, ai e vlerësoi Luan Dinon si një figurë të rëndësishme dhe një intelektual të shquar që kontribuoi shumë për komunitetin egjiptian në Ballkan, duke theksuar se ndarja e tij nga jeta përbën një humbje të madhe për të gjithë ata që e kanë njohur dhe vlerësuar punën e tij.
“Me dhimbje të thellë mësuam lajmin e ndarjes nga jeta të Luan Dino, një intelektual i shquar dhe një figurë e rëndësishme e komunitetit egjiptian në Ballkan. Puna e tij e palodhur dhe kontributi i tij i çmuar do të mbeten gjithmonë në kujtesën tonë. I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve të tij. Ai do të jetë gjithmonë në zemrat tona”, thuhet në reagim.
Ceremonia e varrimit do të mbahet më 12 shkurt 2026, në ora 11:00, në varrezat e qytetit në Përmet, ndërsa në ditët në vijim pritet të organizohet edhe një mbledhje komemorative për të nderuar jetën, veprën dhe kontributin e të ndjerit.