
Në emisionin “Fokusi Ynë”, i ftuar ishte Bashkim Kurti, një nga figurat më të njohura të aktivizmit qytetar nga komuniteti egjiptian, i cili për mbi katër dekada ka dhënë kontribut të vazhdueshëm në fuqizimin dhe përmirësimin e pozitës së komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë.
Gjatë emisionit, Kurti foli për rrugëtimin e tij të gjatë profesional dhe qytetar, i cili ka filluar fillimisht në fushën e arsimimit, si pedagog dhe profesor, duke kontribuar në edukimin dhe formimin e brezave të rinj nga komunitetet jo-shumicë. Ai theksoi se arsimi ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore për emancipimin dhe integrimin e komuniteteve, pavarësisht sfidave të shumta strukturore dhe sociale.
Më pas, angazhimi i tij ka vazhduar në nivel institucional, si zyrtar në Zyrën për Komunitete dhe Kthim, si dhe si përkthyes në nivel komunal, role përmes të cilave ai ka qenë një urë lidhëse mes institucioneve dhe qytetarëve nga komunitetet jo-shumicë. Në këtë periudhë, Bashkim Kurti ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në adresimin e problematikave të përditshme të komuniteteve, duke u ballafaquar me vështirësi të vazhdueshme që lidhen me diskriminimin, mungesën e qasjes në shërbime, papunësinë dhe sfidat në arsimim.
Në “Fokusi Ynë”, ai foli hapur për sfidat afatgjata me të cilat janë përballur komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian, por edhe për përmirësimet graduale që janë arritur falë angazhimit të individëve, shoqërisë civile dhe bashkëpunimit institucional. Sipas tij, edhe pse ndryshimet kanë ardhur ngadalë, ato janë dëshmi se puna e vazhdueshme dhe e sinqertë sjell rezultate konkrete.
Një pjesë e veçantë e diskutimit iu kushtua angazhimit të tij në arsimimin e komuniteteve, të cilin ai e konsideron si mision jetësor. Kurti theksoi se investimi në arsim është investim në dinjitet, barazi dhe të ardhme më të mirë për fëmijët dhe të rinjtë nga komunitetet e margjinalizuara.
Edhe pse sot është në pension, Bashkim Kurti vazhdon të jetë aktiv dhe i përkushtuar në kuadër të shoqërisë civile, duke ofruar përvojën, njohuritë dhe mbështetjen e tij për iniciativat që synojnë përmirësimin e pozitës së komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Ai mbetet një shembull i angazhimit qytetar afatgjatë dhe i përkushtimit të palëkundur për barazi, drejtësi sociale dhe përfshirje.

Me gjersisht ndiqni intervisten :