
GJAKOVË – Kryeshefi Ekzekutiv i KRM “Çabrati” Sh.A., Behar Ferizi, dhe Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm “Isa Grezda”, Hilmi Shala, kanë nënshkruar kontratën për ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes së higjienës në ambientet e spitalit.
Sipas njoftimit zyrtar, marrëveshja synon të sigurojë standarde të larta të pastërtisë dhe një mjedis të sigurt për pacientët, personelin shëndetësor dhe vizitorët.
Për të sqaruar përmbajtjen e marrëveshjes, Prosperiteti Channel iu drejtua zyrtarisht KRM “Çabrati”, duke kërkuar të dijë nëse ajo nënkupton kalimin e punëtorëve të mirëmbajtjes higjienike nën menaxhimin e ndërmarrjes apo ka të bëjë vetëm me ofrimin e një shërbimi specifik.
Në përgjigjen zyrtare për Prosperiteti Channel, KRM “Çabrati” konfirmoi se, me hyrjen në fuqi të kontratës, të gjithë punëtorët e angazhuar për mirëmbajtjen higjienike në Spitalin “Isa Grezda” janë nën menaxhimin, mbikëqyrjen dhe përgjegjësinë e plotë operative të KRM “Çabrati” Sh.A.
Sipas sqarimit, ndërmarrja është përgjegjëse për organizimin e punës, oraret, detyrat dhe mbikëqyrjen e përditshme të këtij personeli, ndërsa Spitali “Isa Grezda” mbikëqyr realizimin e shërbimit në bashkëpunim me KRM “Çabrati”. Po ashtu, ndërmarrja garanton përmbushjen e standardeve të kërkuara për mirëmbajtjen higjienike, duke udhëhequr drejtpërdrejt këtë personel sipas kushteve të kontratës.
KRM “Çabrati” thekson se marrëveshja kufizohet vetëm në ofrimin e shërbimit të pastrimit dhe mirëmbajtjes higjienike për nevojat e Spitalit “Isa Grezda” dhe nuk përfshin fusha të tjera të funksionimit të institucionit.
Kujtojmë se punëtorët e higjienës në Spitalin “Isa Grezda” kanë organizuar disa greva dhe protesta gjatë viteve të fundit, duke ngritur shqetësime për shkeljen e të drejtave të tyre, veçanërisht për vonesat në pagesat nga kompanitë private që kanë menaxhuar më parë këtë shërbim. Në disa raste, këto pakënaqësi kanë sjellë edhe ndërprerje të përkohshme të punës. Menaxhimi i ri nga KRM “Çabrati” pritet të tregojë nëse do të ndikojë në tejkalimin e këtyre sfidave.

Foto credit : KALLXO.COM