
Në Kosovë, gratë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian përballen me sfida të mëdha kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen në politikë dhe vendimmarrje. Edhe pse ligji parashikon kuotat për përfaqësim gjinor, shumë prej këtyre grave mbeten jashtë procesit politik për shkak të mungesës së angazhimit dhe vullnetit të partive politike për t’i integruar ato në vendimmarrje.
Stereotipet dhe paragjykimet shoqërore janë pengesa kryesore, ndërsa mungesa e programeve të fuqizimit politik lë shumë gra pa përgatitje për të marrë role aktive. Por, ka shenja shprese: përmirësimet në arsimin e vajzave nga këto komunitete krijojnë një bazë të fortë për pjesëmarrje aktive në të ardhmen.
Ekspertët theksojnë se për të rritur përfaqësimin e grave në nivel komunal, veçanërisht si asambleiste gjatë zgjedhjeve lokale, duhet të ndërmerren hapa konkretë si programet e trajnimit dhe mentorimit, fushatat për ndërgjegjësimin e komunitetit dhe krijimin e rrjeteve mbështetëse që i ndihmojnë të fitojnë përvojë dhe besim.
Angazhimi i grave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian nuk është thjesht një çështje ligjore; është një mundësi për të thyer barrierat, për të sfiduar stereotipet dhe për të ndërtuar një komunitet më të fuqishëm dhe më të përfshirë në vendimmarrje. Përmes fuqizimit të tyre, politika dhe vendimmarrja në Kosovë mund të bëhen më gjithëpërfshirëse dhe më të drejta.
Në një diskutim të rëndësishëm mbi rolin e grave në politikë dhe sfidat me të cilat përballen, veçanërisht brenda komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, foli znj. Edona Podrimja, nënkryetare e Partisë Liberale Egjiptiane (PLE) dhe kandidate për deputete në zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhjet lokale të vitit 2025.
Znj. Podrimja theksoi rëndësinë e përfaqësimit të grave në proceset vendimmarrëse, duke nënvizuar se gratë egjiptiane shpesh përballen me barriera të shumta për të hyrë në politikë. Ajo gjithashtu theksoi se përfshirja e grave në politikë nuk është vetëm një çështje e barazisë gjinore, por edhe një domosdoshmëri për të siguruar që zëri i komunitetit egjiptian dëgjohet dhe përfaqësohet në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Znj. Podrimja ndau përvojat e saj personale, duke treguar se rruga drejt angazhimit politik ka qenë e mbushur me sfida, përfshirë paragjykimet dhe mungesën e mbështetjes institucionale. Megjithatë, ajo theksoi se këto vështirësi nuk e kanë penguar, por përkundrazi e kanë motivuar të punojë më shumë për të ndryshuar realitetin e grave në komunitetin e saj, pavarësisht që ajo nuk është zgjedhur deputete.
Një tjetër shembull i rëndësishëm është ai i Qëndresa Ademit, e cila e pati mundësinë dhe fatin të përfaqësojë komunitetin në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës. Ajo tregoi se sa të mëdha ishin sfidat dhe pengesat me të cilat u përballë, por megjithatë guxoi. Guximi i një gruaje ashkali për të bërë zërin e komunitetit të saj të dëgjohet në Fushë Kosovë është një dëshmi e fortë se përfshirja e grave në politikë është e mundur, pavarësisht vështirësive.
“Të hysh në politikë si grua nuk është e lehtë, por të vendosësh si kandidate siguron që një komunitet jo-shumicë të ketë dhe më shumë shpresë”.
Këtë e dëshmon rasti i Qëndresë, e cila u zgjodh asambleiste në Fushë Kosovë, një komunë me sfida të shumta sociale e ekonomike, ku komuniteti ashkali përballet çdo ditë me papunësi, mungesë të qasjes së barabartë në arsim dhe kushte të vështira banimi.
“Përveç sfidave që i ka çdo grua në politikë, në rastin tmi ishin edhe paragjykimet që lidhen me faktin se vij nga një komunitet jo-shumicë. Kishte skepticizëm, madje edhe brenda komunitetit, nëse një grua mund të përfaqësojë fuqishëm zërin e njerëzve tanë. Por unë vendosa të guxoj”, thotë Ademi.

Sipas saj, mbështetja që merr nga familja dhe të rinjtë e komunitetit është thelbësore për të hyrë në garë.
“Kam ndjerë përgjegjësi që të jem sa më afër njerëzve, të ngre zërin për problemet konkrete që ata ballafaqohen çdo ditë dhe të mundohem të ndikoj në politikat lokale”, shton ajo.
Në mbledhjet e Kuvendit Komunal, Ademi është angazhuar në çështje që lidhen me përmirësimin e kushteve në arsim, mbështetjen e familjeve me ndihmë sociale, fuqizimin e të rinjve përmes projekteve zhvillimore dhe krijimin e hapësirave për gratë dhe vajzat e komunitetit në aktivitete ekonomike e sociale.
Për Qëndresën, sfidat nuk kanë qenë vetëm gjinore, por edhe etnike.
“Kur je grua nga një komunitet jo-shumicë, përballesh me dy barriera njëherësh – atë gjinore dhe atë etnike. Por, kjo nuk më ka ndaluar; përkundrazi, më ka motivuar që të punoj edhe më shumë për të dëshmuar se edhe gratë nga komunitetet mund të jenë lidere të fuqishme.”
Nevoja për krijimin e politikave që mbështesin gratë, veçanërisht ato nga komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane, është një aspekt thelbësor për promovimin e barazisë dhe përfshirjes sociale. Këto politika duhet të përfshijnë programe edukative dhe trajnuese të dizajnuara për të fuqizuar gratë që të marrin pjesë aktive në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore.
Përmes këtyre iniciativave, institucionet jo vetëm që njohin dhe adresojnë nevojat specifike të grave të margjinalizuara, por krijojnë gjithashtu një mjedis mbështetës që i inkurajon ato të zhvillojnë potencialin e tyre, të ndërveprojnë me vendimmarrësit dhe të kontribuojnë në proceset vendimmarrëse.
Autor : Dr.sc.Lendrit Qeli
KY ARTIKULL ËSHTË SHKRUAR SI PJESË E MEMORANDUMIT TË BASHKËPUNIMIT ME ASOCIACIONIN E GAZETARËVE TË KOSOVËS.