Të vendosësh të kandidosh si grua nga komuniteti Ashkali nuk ka qenë aspak e lehtë. Përveç sfidave që i ka secila grua në politikë, në rastin tim ishin të pranishme edhe paragjykimet shtesë që vijnë nga fakti se vij nga një komunitet jo-shumicë. Kishte skepticizëm, madje edhe brenda komunitetit, nëse një grua mund të përfaqësojë realisht dhe fuqishëm zërin e njerëzve tanë. Por besimi që mora nga familja, të rinjtë e komunitetit dhe qytetarët më të motivuar më shtyu të ndërmarr këtë hap.
Gjendja e komunitetit Ashkali në Fushë Kosovë vazhdon të mbetet sfiduese. Përballja me papunësinë, mungesa e qasjes së barabartë në arsim, si dhe kushtet jo të mira të banimit janë disa nga çështjet më të theksuara. Ka përpjekje për përmirësim, por ende kemi rrugë për të bërë që të arrijmë barazi reale dhe përfshirje të plotë.
Si asambleiste ndjej përgjegjësi të madhe për të përfaqësuar komunitetin tim. Jam përpjekur të jem zëri i tyre në çdo mbledhje, duke ngritur shqetësimet konkrete që i dëgjoj përditë në terren. Sigurisht që gjithmonë mund të bëhet më shumë, por unë mundohem të jem sa më afër njerëzve dhe të ndjek me përkushtim çdo mundësi për të ndikuar në politikat lokale që i prekin ata drejtpërdrejt.
Të jesh grua në politikë është sfidë në vetvete, por kur i shton edhe përkatësinë në një komunitet jo-shumicë, sfidat shumëfishohen. Përballesh me dy barriera njëherësh – atë gjinore dhe atë etnike. Megjithatë, këto nuk më kanë ndalur. Përkundrazi, më kanë motivuar që të punoj edhe më shumë për të dëshmuar se edhe gratë nga komunitetet mund të jenë lidere të fuqishme dhe të angazhuara.
Deri tani kam ngritur çështje që kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve në arsim, mbështetjen për familjet me ndihmë sociale, përfshirjen e të rinjve në projekte zhvillimore, si dhe krijimin e hapësirave për gratë dhe vajzat e komunitetit në aktivitete ekonomike dhe sociale.
Për gratë e komunitetit tim që hezitojnë të angazhohen, mesazhi im është i qartë: guxoni! Ne kemi të drejtë të jemi pjesë e vendimmarrjes, të japim kontributin tonë dhe të mos presim që dikush tjetër të flasë në emrin tonë. Përfshirja jonë nuk është vetëm e nevojshme, por e domosdoshme nëse duam ndryshim të vërtetë.
Gjendja e grave në komunitetin Ashkali është ende e vështirë. Ato përballen me pabarazi të shumëfishtë – si gra, si pjesë e një komuniteti të margjinalizuar dhe shpeshherë edhe si të papuna ose me qasje të kufizuar në arsim dhe shërbime. Ka pak hapësirë për fuqizimin e tyre real, dhe kjo duhet të ndryshojë.
Shumë gra ende nuk kanë qasje të mjaftueshme në informacion për të drejtat e tyre. Mungojnë fushatat e drejtpërdrejta në komunitet, si dhe qasja në materiale të kuptueshme dhe në gjuhën e përshtatshme për to. Po ashtu, shpesh ka mungesë të përfaqësimit në institucionet që mund të mbrojnë dhe avancojnë të drejtat e tyre.
Grave të komunitetit tonë u mungon mbështetja institucionale, mbështetja për edukim profesional dhe përfshirje në tregun e punës. Duhet të krijohen më shumë programe të përshtatura që u japin atyre mundësi reale për zhvillim ekonomik, por edhe për pjesëmarrje në politikë, në administratë lokale dhe në organizata të shoqërisë civile. Vetëm përmes përfshirjes së tyre të plotë mund të flasim për barazi dhe drejtësi sociale.
Ndiceni intervisten në : https://www.youtube.com/watch?v=ganp2yaA6B4