Fokusi Ynë

Komunitetet në fokus – rrëfimi i Jeton Rahmanit, drejtor për komunitete në Mitrovicën e Veriut

RtvProsperiteti
29 Maj 2025

 Jeton Rahmani, drejtori për komunitete në Mitrovicën e Veriut dhe njëherazi përfaqësuesi i parë nga komuniteti egjiptian në këtë pozitë, në emisionin “Fokusi Ynë” ka ndarë vlerësimin e tij për gjendjen aktuale të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në këtë komunë, duke e cilësuar si një gjendje që përkundër vështirësive të shumta, po përjeton një përpjekje për ndryshim pozitiv.

Ai theksoi se komunitetet ballafaqohen me sfida të natyrave të ndryshme – nga papunësia e lartë, deri te mungesa e infrastrukturës së qëndrueshme dhe vështirësitë në qasje ndaj shërbimeve publike. Megjithatë, sipas tij, ka vullnet dhe bashkëpunim për të adresuar këto çështje, si nga ana e komuniteteve ashtu edhe nga institucionet lokale.

Rahmani e vlerëson lart faktin që si përfaqësues nga komuniteti egjiptian ka marrë një rol udhëheqës, duke theksuar se kjo nuk është vetëm një arritje personale, por edhe një sinjal pozitiv për gjithë komunitetin që përfaqëson. Ai shtoi se ndjehet i motivuar dhe përgjegjës për të qenë zë i qytetarëve që shpesh janë anashkaluar në procese vendimmarrëse.

Duke folur për të arriturat gjatë mandatit të tij, Rahmani përmendi intensifikimin e komunikimit me komunitetet, identifikimin e nevojave konkrete dhe bashkëpunimin me organizata e institucione për projekte që synojnë përmirësimin e jetës së përditshme në lagjet e banuara nga komunitetet jo-shumicë.

Një nga temat që trajtoi ishte gjendja në lagjen “2 Korriku”, një zonë ku jetojnë shumë familje nga komunitetet. Ai theksoi se banorët e kësaj lagjeje përballen me një sërë sfidash, por një ndër më urgjentet mbetet çështja e lumit Sitnica, i cili gjatë shirave të mëdha shkakton fryrje të vazhdueshme dhe përmbytje që rrezikojnë seriozisht banesat dhe shëndetin e qytetarëve. Rahmani nënvizoi se një ndërhyrje nga niveli qendror është e domosdoshme dhe e pritshme, ashtu siç është premtuar më herët. Ai u shpreh optimist se një zgjidhje do të ndërmerret së shpejti për të siguruar mbrojtjen e komunitetit.

Sa i përket arsimit, Rahmani tha se qendrat arsimore funksionojnë dhe janë të hapura për fëmijët nga komunitetet, por ka ende hapësirë për përmirësim, sidomos në aspektin e resurseve dhe kushteve mësimore, në mënyrë që të krijohen mundësi të barabarta për të gjithë.

Duke qenë vetë banor i pjesës jugore të Mitrovicës, ai e sheh situatën e komuniteteve në të dy anët e qytetit si të ngjashme në sfida, por me dallime në qasjen institucionale. Sipas tij, ka nevojë për më shumë bashkërendim dhe angazhim të të gjitha niveleve të qeverisjes për të sjellë përfshirje më të plotë të komuniteteve në jetën publike.

Në përmbyllje, Rahmani ritheksoi përkushtimin e tij për të përfaqësuar me ndershmëri dhe përgjegjësi qytetarët që shpesh nuk kanë pasur zë në institucionet lokale, dhe bëri thirrje për bashkëpunim më të gjerë institucional për të garantuar kushte më të mira për të gjithë.

Ndiqeni intervisten ne emisionin “FOKUSI YNË” : https://www.youtube.com/watch?v=4tmkK8eAWj4

Nga Rubrika

Rtv-Prosperiteti, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.