Avnora Morina është një vajzë e re nga rradhët e komuniteteve që shpesh trajtohet në grupin e komuniteteve të margjinalizuara, e cila ka kaluar një prejudhë të gjatë përballje me paragjykimeve. Që në fëmijëri, ajo u përball me sfidat e të qenit vajzë e komunitetit egjiptian në shoqëri, ku ndikimi i paragjykimeve për dukjen e saj dhe përpjekjet për aktivizëm shiheshin me sy tjetër. Megjithatë, këto vështirësi nuk e ndaluan. Përkundrazi, ato e forcuan për të luftuar dhe për të dëshmuar se suksesi nuk njeh kufij.
Përgjatë pothuajse 20 viteve të saj si aktiviste, Avnora ka mbrojtur të drejtat e komuniteteve të margjinalizuara, veçanërisht të grave, të rinjve dhe fëmijëve. E angazhuar si aktiviste dhe tutore në qendrën e mësimit në lagjen Brekoc dhe nëpër disa shkolla të tjera të Gjakovës, ajo ka ndihmuar, asistuar dhe regjistruar shumë vajza të reja në procesin mësimor, për të kaluar sfidat me të cilat ato përballeshin, shpeshherë kur për shkak të situatave të ndryshme nuk i lejonin t’i regjistronin në shkolla.
“Në periudhën kur unë bëja aktivizëm, menjëherë pas luftës, ka qenë tabu t’i bindje prindërit e shumë vajzave që t’i lejonin ato të shkonin në shkollë, nuk edi , nga shumë factor , problemet sociale, friga , stigmatizimi , etj .Por qendra ka luajtur rol të rëndësishëm! Fillimisht, distanca më e afërt e tyre, e dyta shumë programe që asistonin në ndihma, materiale didaktike, shujta për fëmijë, e shumë të tjera. Por, përballja e tyre me varfërinë, si pasojë e problemeve sociale, dhe martesat e hershme, bënin që ndonjëherë të ndihesha e zhgënjyer kur pas shumë angazhimi dëgjoja që vajza ishte martuar, shpeshherë pa u pyetur. Thjesht tmerroheshim,” thotë Avnora Morina.
Megjithatë, Avnora vazhdonte angazhimin e saj, edhe në raste të ndryshme kur, si pasojë e racizmit dhe diskriminimit klasik të përjashtimit të fëmijëve apo trajtimit të tyre në shkolla, ajo përpiqej të avokonte për mosbraktisjen dhe zgjidhjen e problemit.
“Pavarësisht situatave, ne përpiqeshim ta qetësonim procesin, t’i stimulonim fëmijët për shkollim. Reflektimi kishte një qëllim: çdo fëmijë në shkollë, zero tolerancë ndaj braktisjes,” – thotë Avnora Morina.
Përveç aktivizmit, ajo ka sfiduar normat tradicionale duke reflektuar tabutë në komunitete dhe duke u angazhuar në profesione që konsideroheshin “të çuditshme” për komunitetin për një vajzë, në cilësinë e xhirueses/kameramanes, DJ dhe operatore teknike në radio, fotografe, etj. Pavarësisht sfidave të përditshme, ajo kishte përballje të shumta diskriminuese edhe vetë, vetëm sepse i takonte një kategorie etnike ndryshe. Ajo kujton disa prej momenteve më të vështira që, sa herë i kujton, nuk e bëjnë të ndihet mirë, pasi merr shembuj të shumtë që edhe të tjerët janë përballur njësoj, por nuk kanë pasur mundësi adresimi dhe janë zmbrapsur, duke vlerësuar situatën e sotme ku raportohet diskriminimi si pasojë e racizmit klasik ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian që vjen si rezultat i antigjipsizmit.
“Saherë që kërkoja punë, pavarësisht që e njihja mirë profesionin e xhiruesit apo siç njihej me emërtimin kameraman, dhe kisha përfunduar trajnime e praktika të ndryshme, sa herë që aplikoja për punë, më paragjykonin dhe nuk më jepnin hapësirë kurrë. Bile pas dorëzimit të CV-së, dëgjoja prapa shpinës pasi mbyllja derën: ‘Edhe magjupe, edhe femër, me çfarë guximi po kërkon të aplikojë’. Diskriminim përjetova edhe në fakultet kur vendosa të regjistrohesha. Pavarësisht masave afirmative, më refuzuan dhe më thanë që nuk ka hapësirë për mua. ‘Më vjen keq vajzë, vendet e garantuara janë zënë,’ më thanë. Kur mora listën e emrave se kush ishin, kuptova që kishte emra që ishin deklaruar rrejshëm për përkatësinë etnike. M’u desh të intervenoja përmes Zyrës për Komunitete dhe përfaqësuesve politikë për t’u pranuar,” shprehet Avnora.
Sot, ajo përballet me një sëmundje të rrallë, sklerozën multiple. Megjithë sfidat e mëdha shëndetësore, ajo vazhdon të angazhohet vullnetarisht në ngjarje ku gratë kërkojnë frymëzim dhe motivim. Pavarësisht betejës me sëmundjen, Avnora vazhdon të jetë një shembull i forcës dhe vendosmërisë për shumë gra, duke treguar se gjithçka është e mundur me përkushtim dhe qëndresë.
Autor: Lendrit QELI