Emrah Cermjani, drejtor i organizatës Roma in Action, është një nga figurat të rëndësishme në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit Rom por jo vetëm në Kosovë. Përmes punës së tij, ai ka arritur të mbrojë interesat e komunitetit në fjalë jo vetëm në Gjakovë ku edhe figuron selia , por edhe më gjerë, duke përfshirë qytetet si Prizreni, Pejës, Istogut dhe Klinës. Me këmbëngulje dhe përkushtim, ai po lufton kundër diskriminimit dhe po avokon për të drejtat e komuniteteve joshumicë.
Në një intervistë ekskluzive për emisionin Fokusi Ynë, Cermjani foli për rolin e shoqërisë civile, sfidat me të cilat përballet komuniteti rom në Kosovë dhe mungesën e literaturës shkollore ku trajtohet historia dhe kultura e komuniteteve joshumicë.
“Mungesa e përfshirjes së komunitetit rom në jetën institucionale dhe sociale është një problem serioz. Ne kemi nevojë për politika gjithëpërfshirëse dhe masa konkrete për të ndryshuar këtë realitet,” thekson ai.
Një nga shqetësimet kryesore që ai ngriti gjatë intervistës ishte mungesa e materialeve edukative që pasqyrojnë historinë dhe kulturën e romëve. Ai e konsideron këtë një padrejtësi të madhe që ndikon në vetëdijen dhe formimin e brezave të rinj.
“Pa edukim dhe informim të drejtë, paragjykimet dhe diskriminimi do të vazhdojnë të jenë të pranishme në shoqëri. Ne duhet të sigurojmë që historia dhe kultura jonë të jenë pjesë e sistemit arsimor,” shtoi Cermjani.
Ai gjithashtu foli për sfidat e përditshme me të cilat përballen romët, si papunësia, mungesa e qasjes në arsim cilësor dhe përjashtimi social. Ai e konsideron të domosdoshme që institucionet dhe shoqëria civile të bashkëpunojnë për të krijuar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët.
Në fund të intervistës, Cermjani bëri një apel të fortë për bashkëpunim dhe solidaritet, duke ftuar të gjithë të jenë pjesë e ndryshimit.
Për të dëgjuar më shumë mbi këtë bisedë inspiruese dhe për të kuptuar më thellë sfidat dhe përpjekjet për të drejtat e komunitetit rom në Kosovë, ndiqni intervistën e plotë me Emrah Cermjanin në emisionin Fokusi Ynë.