Fokusi Ynë

MIRËQENIA E DOBËT TEK KOMUNITETET ROM, ASHKALI DHE EGJIPTIAN, PASOJAT E RËNDA NDAJ SËMUNDJES SË DIABETIT

RtvProsperiteti
13 Tetor 2024

Në Kosovë, përballja me diabetin është një sfidë e madhe për shumë qytetarë, por për komunitetet e margjinalizuara siç janë romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët, kjo sëmundje bëhet një barrë edhe më e rëndë. Për pjestarë e komuniteteve rom , ashkali dhe egjiptian ,  sfidat nuk ndalen vetëm në përballjen me simptomat e sëmundjes, por përfshijnë një varg pengesash që lidhen me qasjen e kufizuar në kujdesin shëndetësor, mungesën e ndërgjegjësimit dhe mirqenjen dhe gjendjen sociale.

Mungesa e kujdesit shëndetësor të mjaftueshëm është gjithashtu një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen romet, ashkalinjet  dhe egjiptianet në Kosovë, duke marrë parasysh që për disa është qasja e kufizuar në kujdesin shëndetësor.

Shumë prej tyre jetojnë në zona të getoizuara dhe rurale, të izoluara, ku institucionet shëndetësore nuk janë të qasshme lehtë.

Transporti i pamjaftueshëm dhe mungesa e informimit për shërbimet e specializuara shpesh i lënë ata jashtë rrjetit të përkujdesjes. Megjithatë edhe kur kujdesi mjekësor është i disponueshëm, shumë të moshuar e kanë të vështirë të përballojnë shpenzimet e lidhura me trajtimin e diabetit, përfshirë analizat periodike, barnat e nevojshme dhe dietat specifike.

 Për vitin 2024, numri i diabetikëve në Kosovë ka arritur në rreth 107,000 individë. Kjo shifër përfaqëson rreth 6% të popullsisë së përgjithshme të vendit, që është e barabartë me rreth 1 në 16 njerëz që jetojnë me diabet. Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se vetëm 44,000 nga këta individë janë regjistruar në sistemin shëndetësor si diabetikë referencë e statistikave që vie nga  Agjensioni i Stratistikave të  Kosovws  – https://ask.rks-gov.net/ .

Samedin Mahmuti nga Rahoveci është 77 vjeç dhe përballet me sfida të mëdha shëndetësore. Ai jeton i vetëm dhe vuan nga diabeti, tensioni i ulët dhe kolesteroli. Me pensionin minimal që merr, Samedini mezi arrin të blejë ilaçet e nevojshme, dhe shpeshherë i duhet të zgjedhë cilat ilaçe të blejë, duke lënë disa sëmundje pa trajtim të rregullt.

“Tabletat mundohem t’i pi me kohë, por kur më mbarohen, më duhet të pres ditë të tëra për t’i blerë, sepse nuk kam para mjaftueshëm. Nuk ka kush të përkujdeset për mua,” thotë ai. Samedini jeton më shumë se 2 kilometra larg qendrës së mjekësisë dhe shpesh e ka të vështirë të shkojë për vizitë për shkak të moshës dhe distancës. “Sheqeri më luan shpesh. Nganjëherë më rritet shumë, ndonjëherë më bie dhe fillojnë dridhjet,” shpjegon ai, duke theksuar se jeta me diabet dhe vetmi është një betejë e vështirë.

Edhe Mamudije Kukaqi, një grua 70-vjeçare nga Gjakova, po përballet me një betejë të gjatë kundër diabetit. Ajo merr insulinën që i siguron Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjakovë, por shpesh përballet me vonesa në marrjen e saj. “Na marrin herë pas here nga QKMF-ja, por nganjëherë ka vonesa dhe kjo na shqetëson,” thotë ajo. Mamudija thekson se cilësia e insulinës që blen në treg shpesh i shkakton pasiguri dhe panik, duke shtuar se shpesh është e detyruar t’i blejë kur vonohen furnizimet nga institucionet shëndetësore.

Në fillim, injorova këshillat për kontrollet preventive ” pranon Mamudija. Vetëm pasi bëri analizat e duhura, zbuloi se vuante nga diabeti. Megjithëse u trajtua, vonesat në marrjen e diagnozës e detyruan të kalojë në insulinë për të kontrolluar sëmundjen.”Për momentin, po i marrim rregullisht prej QKMF-së, po kur skadon tenderimi i Komunes, po na bie me prit,” shpjegon ajo. “Sëmundja nuk pret, na duhet me i ble, se vetëm një ditë po mos t’i marr, gjendja më përkeqësohet.

 

Një tjetër sfidë kryesore është mungesa e ndërgjegjësimit dhe edukimit për diabetin. Për shumë pjesëtarë të këtyre komuniteteve, mungesa e njohurive rreth simptomave të diabetit, komplikimeve të mundshme dhe menaxhimit të sëmundjes mund të çojë në vonesa në diagnostikim dhe trajtim.Edukimi shëndetësor shpesh është i kufizuar në këto komunitete, ku qasja në informacionin e duhur, përmes mediave ose programeve të ndërgjegjësimit, është minimale.Kjo mungesë e informimit jo vetëm që rrit rrezikun e përkeqësimit të shëndetit, por gjithashtu pengon mbajtjen e një jetese të shëndetshme, tha Dr. Luan Gola, endokrinolog.

FOKUSI YNË /INTERVISTA E PLOTË  – Dr.Luan Gola- Endokrinolog  : https://www.youtube.com/watch?v=rxS7GlrG9TQ

Për t’i adresuar këto sfida, është e domosdoshme një ndërhyrje institucionale dhe një bashkëpunim më i ngushtë midis institucioneve shëndetësore dhe komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Qeveria , thuhet se ka ndërmarrë një sërë strategjish për avancimin e pozitës së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, veçanërisht në fushat e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale. Këto strategji synojnë të përmirësojnë qasjen e këtyre komuniteteve në shërbime themelore dhe të ngrenë nivelin e jetesës së tyre. Megjithatë, ka ende shumë hapësirë për përmirësim, sidomos në ndërgjegjësimin dhe edukimin e këtyre komuniteteve lidhur me të drejtat dhe mundësitë e tyre.

Në sektorin e shëndetësisë, për shembull, është e rëndësishme që programet të fokusohen në rritjen e ndërgjegjësimit për sëmundje kronike, si diabeti, si dhe në ofrimin e kujdesit shëndetësor më të shpejtë dhe më efikas. Qasja e barabartë në shërbimet shëndetësore dhe sigurimi i medikamenteve të nevojshme është thelbësore për përmirësimin e cilësisë së jetës për këta qytetarë.

Ndersa kur referohemi nivelit lokal , sipas informatave  dhe    statistikave qe posedon Drejtoria e Shendetësis , posaqerisht prej atyre që marrin insolina nga QKMF në Gjakovë , sipas drejtorit  Arben Koshi , ata furnizohen me  rreth 1300 doza në muaj .

Për momentin, nuk ka statistika konkrete mbi numrin e përdoruesve të insulinës nga radhët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, pasi mbështetja që ofrohet nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) nuk i ndan pacientët sipas përkatësisë etnike. Megjithatë, nga ajo që është vërejtur në terren, nga 1,300 doza insuline që jepen nga QKMF në Gjakovë,  përafersisht mund te thuhet që rreth 7-10% e tyre u shkojnë pacientëve nga këto komunitete.

Kjo tregon se një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të këtyre komuniteteve varet nga ky shërbim jetik, por mungesa e statistikave të sakta vështirëson vlerësimin e plotë të nevojave dhe të ndikimit të shërbimeve shëndetësore mbi ta.

Për të përmirësuar shërbimet dhe për të siguruar qasje të barabartë për të gjithë qytetarët, do të ishte e rëndësishme që institucionet shëndetësore të krijojnë mekanizma të matjes dhe raportimit më të detajuar, duke përfshirë edhe përkatësinë etnike, pa diskriminim, për të mundësuar plane të targetuara mbështetjeje.

Ndërhyrjet duhet të përfshijnë programe të veçanta për ndërgjegjësimin mbi diabetin, fushata për edukim shëndetësor dhe qasje të përmirësuar në shërbime mjekësore. Organizatat e shoqërisë civile që punojnë me këto komunitete duhet të angazhohen për të krijuar qendra komunitare të shëndetit ku ofrohen kontrolle të rregullta dhe trajtime për diabetin. Gjithashtu, është e rëndësishme që të ndërtohen politika publike të cilat ndihmojnë në zbutjen e varfërisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për të moshuarit e këtyre komuniteteve. Ofrimi i skemave të sigurimit shëndetësor për ata që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme, si dhe ofrimi i barnave të subvencionuara për diabetin, do të ishin hapa të rëndësishëm përpara.

 

Autor :Lendrit Qeli

 

 

Nga Rubrika
Arsim - 14 Tetor 2024

Rtv-Prosperiteti, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.